Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Libanit, duke e cilësuar atë një zhvillim të rëndësishëm për uljen e tensioneve dhe forcimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë publike, von der Leyen e përshkroi marrëveshjen si “një hap kritik larg përshkallëzimit”, duke theksuar se paqja në rajon nuk mund të arrihet për sa kohë Libani mbetet i përfshirë nga konflikti.
“E mirëpres marrëveshjen mes Izraelit dhe Libanit. Ky është një hap kritik larg përshkallëzimit, sepse nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme me Libanin në flakë”, u shpreh ajo, ndërsa falënderoi Shtetet e Bashkuara për rolin ndërmjetësues në negociata.
Sipas presidentes së Komisionit Evropian, prioritetet e fazës së ardhshme duhet të jenë çarmatimi i grupeve të armatosura jashtë kontrollit shtetëror, si dhe garantimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se Bashkimi Evropian ka mobilizuar 100 milionë euro ndihmë humanitare për personat e zhvendosur nga konflikti, duke riafirmuar gatishmërinë e BE-së për të mbështetur përpjekjet drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon.
Marrëveshja u arrit pas raundit të pestë të negociatave të zhvilluara në Uashington nën ndërmjetësimin e SHBA-së. Bisedimet u fokusuan në tërheqjen e forcave izraelite nga territori libanez dhe vendosjen e ushtrisë së Libanit në zonat e prekura nga konflikti.
