Lela: Heqja e sanksioneve ndaj Berishës u komunikua përmes një telefonate nga DASH, pritet konfirmimi zyrtar

Data

Drejtuesi i Zyrës së Shtypit të Partisë Demokratike, Alfred Lela, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me statusin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke deklaruar se lajmi për heqjen e sanksioneve amerikane i është komunikuar përmes një bisede telefonike nga një përfaqësuese e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Në një intervistë televizive, Lela tha se vendimi është marrë disa ditë më parë, ndërsa sipas tij ka pasur diskutime lidhur me mënyrën e publikimit të këtij informacioni.

“Ka pasur një telefonatë nga një përfaqësuese e DASH. Firma është marrë para dy ose tri ditësh dhe ka pasur një ngurrim lidhur me mënyrën se si do të bëhej publik lajmi. Ende nuk kemi një dokument zyrtar të shkruar që konfirmon heqjen e sanksionit”, u shpreh ai.

Sipas Lelës, një vendim i tillë do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm politik, pasi, sipas interpretimit të tij, heqja e sanksioneve do të nënkuptonte mungesën e provave që lidhen me akuzat e mëparshme për korrupsion apo cenim të sigurisë.

I pyetur nëse ky vendim përfshin edhe familjarët e ish-kryeministrit, Lela tha se nuk kishte informacion të konfirmuar, por shtoi se logjikisht masa mund të shtrihet edhe ndaj tyre.

“Nuk e kam bërë këtë pyetje, por besoj se nëse sanksioni hiqet për Berishën, atëherë hiqet edhe për familjen, pasi kur u vendos, u aplikua në mënyrë të përbashkët për të gjithë”, deklaroi ai.

Sali Berisha u shpall i papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara në maj të vitit 2021 nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken. Në njoftimin zyrtar të asaj kohe thuhej se ish-kryeministri shqiptar ishte përfshirë në akte korrupsioni që, sipas DASH, cenonin demokracinë në Shqipëri. Vendimi përfshinte gjithashtu bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Deri tani nuk ka pasur një njoftim publik zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të konfirmojë ose të sqarojë ndryshimin e mundshëm të këtij statusi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related