Me ftesë të Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të nismës Fostering the Future Together (FFT).
Takimi do të zhvillohet më 24 dhe 25 mars në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.
Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, pjesëmarrja e Kosovës në këtë koalicion synon të krijojë mundësi të reja për nxënësit dhe fëmijët në vend, duke u ofruar atyre akses në projekte dhe programe të kompanive kryesore amerikane të teknologjisë.
Nisma përfshin përdorimin e platformave digjitale të avancuara, inteligjencës artificiale dhe mjeteve të reja edukative, të cilat synojnë të mbështesin zhvillimin, kreativitetin dhe sigurinë online të fëmijëve.
Kosova është ndër vendet e para që i është bashkuar kësaj iniciative me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me qëllim forcimin e mbrojtjes dhe mirëqenies së fëmijëve në epokën e zhvillimit të shpejtë të teknologjisë digjitale.
