Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka deklaruar se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore që duhet respektuar, por ka theksuar se jo çdo person që merr fjalën në tubime përfaqëson domosdoshmërisht interesat legjitime të qytetarëve.
Në një intervistë televizive, Lamallari u shpreh se gjatë ditëve të fundit ka pasur zhvillime që, sipas tij, kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm nga institucionet përgjegjëse.
“Duhet të ndajmë shapin nga sheqeri. Jo çdokush që merr mikrofonin aty përfaqëson interesa legjitime. Kemi punën e agjencive ligjzbatuese. Nga njëra anë është detyrë e Policisë së Shtetit të garantojë mbarëvajtjen e protestës, por njëkohësisht edhe të jetë vigjilente,” u shpreh ministri.
Lamallari tha se, sipas informacioneve të institucioneve ligjzbatuese, ekzistojnë elementë të caktuar që, sipas tij, nuk veprojnë në funksion të interesit publik.
“Për mua e rëndësishme është që elementë të caktuar provojnë se punojnë për agjenda të caktuara, të cilat nuk kanë të bëjnë me agjendën kombëtare,” deklaroi ai.
Ministri nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e këtyre provave apo identitetin e personave apo grupeve të cilëve iu referohej, ndërsa ritheksoi se institucionet do të vijojnë të garantojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, duke ruajtur njëkohësisht rendin dhe sigurinë publike.
