Vendi ynë këtë të diel do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, vranësirat mesatare deri të dendura do të jenë të pranishme gjatë ditës, ndërsa kthjellimet do të jenë më të theksuara në zonat veriore të vendit.
Reshjet e shiut, me intensitet të ulët dhe të herëpashershëm, pritet të shfaqen që në orët e para të ditës në zonat jugore dhe qendrore të Shqipërisë.
Në jug të vendit, gjatë orëve të mesditës reshjet mund të marrin formën e shtrëngatave afatshkurtra, ndërsa në veri priten vetëm reshje të izoluara në formë pikash shiu, kryesisht në zonat malore.
Temperaturat pritet të mbeten tipike për stinën, ndërsa kushtet atmosferike do të karakterizohen nga ndryshime të shpeshta gjatë ditës.
