Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 11 persona në lidhje me tubimet e zhvilluara më 22 dhe 23 qershor në kryeqytet, pasi dyshohen se kanë penguar qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve duke ndryshuar vendndodhjen e protestave pa autorizim.
Sipas njoftimit zyrtar, personat po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Të proceduarit janë shtetasit me iniciale: D. G., 50 vjeç; I. D., 55 vjeç; E. E., 32 vjeç; E. B., 29 vjeç; V. D., 30 vjeç; E. Z., 26 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; B. K., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, këta persona dyshohet se kanë orientuar zhvillimin e tubimeve në zona të ndryshme nga ato të njoftuara zyrtarisht, konkretisht:
- në kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”;
- në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës;
- si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Policia bën të ditur se, si pasojë e zhvillimit të tubimeve në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje, është penguar qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
