“LAJMI I FUNDIT “Zbardhen emrat e tre të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Gjirokastër

Data

Policia e Gjirokastër ka zbardhur identitetin e tre të rinjve që humbën jetën tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm, si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Bypass-i”.

Sipas informacioneve zyrtare, në aksident janë përfshirë dy automjete, të drejtuara nga dy të rinj nga Tepelena. Përplasja e dhunshme ka rezultuar fatale për dy drejtuesit e mjeteve dhe një pasagjer.

Viktimat janë:

  • Martin Dulaj, 25 vjeç, nga Tepelena
  • Klejdi Myftari, 24 vjeç, nga Tepelena
  • Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, nga Tepelena

Ndërkohë, ka mbetur e plagosur rëndë shtetasja:

  • Arsida Demiri, 19 vjeçe, nga Delvina

E reja është transportuar fillimisht në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas drejt Spitali i Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë Rrugore, shërbimet e urgjencës mjekësore me ambulanca, si dhe zjarrfikësja, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe nxjerrjen e të plagosurve.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së aksidentit. Nëpërmjet ekspertizës teknike dhe mjeko-ligjore do të përcaktohet edhe gjendja fizike e dy drejtuesve të mjeteve, për të vlerësuar nëse faktor ndikues në këtë ngjarje tragjike ka qenë edhe konsumimi i alkoolit gjatë natës së ndërrimit të viteve.

Njoftimi i Policisë Gjirokastër:

“Rreth orës 03:18, në aksin rrugor ‘Gjirokastër–Tepelenë’, në vendin e quajtur ‘Bypass’, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve dhe pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, ndërsa ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.”

Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe rikthen edhe një herë vëmendjen te rreziku i lartë në akset rrugore dhe nevoja për kujdes maksimal, veçanërisht gjatë festave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related