Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimeve në vend, duke akuzuar qeverinë për mungesë përgjegjësie përballë krizës ekonomike.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se çmimi i naftës që ka arritur në 218 lekë për litër nuk mund të justifikohet vetëm me faktorë të jashtëm, siç është lufta në Lindjen e Mesme, por sipas saj lidhet drejtpërdrejt me politikat e brendshme.
Xhixho ngre shqetësimin se rritja e çmimit të karburanteve ka sjellë një efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar ndjeshëm edhe në çmimet e produkteve ushqimore.
Sipas saj, këto të fundit janë rritur deri në 50% brenda një periudhe të shkurtër, duke rënduar situatën për familjet shqiptare.
“Qeveria po pasurohet në këtë krizë, ndërkohë qytetarët po varfërohen. Një kryeministër që justifikohet vetëm me luftën ka hequr dorë nga përgjegjësia”, shprehet deputetja.
Ajo kritikon gjithashtu mungesën e masave konkrete mbështetëse për qytetarët, duke e cilësuar reagimin e qeverisë si “propagandë boshe”.
Në analizën e saj, Xhixho thekson se një pjesë e madhe e çmimit të naftës përbëhet nga taksat, duke argumentuar se ulja e tyre do të ndikonte drejtpërdrejt në lehtësimin e kostove për qytetarët.
“Zgjidhja është ulja e taksave, që do të ulë çmimin e naftës dhe më pas edhe të mallrave dhe shërbimeve”, shton ajo.
Deputetja bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria, përmes paketave mbështetëse dhe politikave që synojnë të përballojnë krizën e kostos së jetesës, duke theksuar se situata aktuale kërkon veprime konkrete dhe jo justifikime.
