Përplasje në Korçë për tregtinë ambulante/ Banorët e Lumalas kundër aksionit

Data

Aksioni për largimin e tregtimit ambulant përgjatë aksit nacional Korçë–Pogradec, në zonën e Lumalas, ka sjellë përplasje mes autoriteteve dhe banorëve që sigurojnë jetesën nga shitja e produkteve bujqësore.

Strukturat e policisë bashkiake kanë zbritur në terren duke u kërkuar tregtarëve të largojnë menjëherë mallrat nga anë e rrugës, duke e cilësuar këtë aktivitet si rrezik për sigurinë rrugore. Por për familjet e zonës, ky vendim rrezikon drejtpërdrejt mbijetesën ekonomike.

Familja Shkëmbi shprehet se nuk është kundër rregullave, por kundërshton mënyrën e zbatimit të tyre, duke kërkuar një zgjidhje alternative.

“Na lini të punojmë, kjo është buka jonë. Nuk jemi kundër ligjit, por të paktën të na japin mundësinë të zhvendosemi disa metra më tutje”, u shpreh Gurie Shkëmbi.

Sipas saj, institucionet nuk kanë ofruar asnjë alternativë konkrete për të vijuar aktivitetin, ndërkohë që presioni ndaj tyre është i vazhdueshëm.

Edhe kryefamiljari Muharrem Shkëmbi e cilëson aksionin të padrejtë, duke thënë se është trajtuar si shkelës ligji, ndërsa përpiqet të mbajë familjen me prodhimin e vet.

“U sollën sikur kisha bërë krim. Unë po shes mallin tim, të prodhuar në tokën time. Me çfarë do rrojmë? 100 herë të vijnë, 100 herë do i nxjerrim mallrat”, tha ai.

Banorët theksojnë se janë të vetëdijshëm për rrezikun e aksidenteve, por propozojnë një kompromis: zhvendosjen disa metra larg rrugës, pa u detyruar të mbyllin aktivitetin.

Ndërsa aksionet pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, mbetet e paqartë nëse autoritetet do të ofrojnë një zgjidhje alternative për këto familje, apo përplasjet në terren do të vazhdojnë, duke lënë pa përgjigje shqetësimin kryesor – sigurimin e të ardhurave për jetesë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related