Një furtunë e vërtetë politike duket se ka përfshirë Qarkun e Fierit pas zgjedhjeve të 11 majit, ku dy figura të njohura të Partisë Socialiste janë përplasur në një betejë që tashmë po merr përmasa skandali kombëtar. Në qendër të kësaj rrëmuje që po shpërthen në media dhe brenda vetë PS-së, qëndrojnë: Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj. Sipas rezultateve të shpallura publikisht, Klosi doli më i votuari në listën e PS-së në Fier me 16.638 vota sa i takon listës së hapur në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndërsa Jahaj i dyti me 12.696 po në listë të hapur. Por ajo që nuk di publiku është se fituesi real ka qenë Klevis Jahaj, dhe ky fakt konfirmohet nga disa burime të brendshme në Partia Socialiste dhe në qendrat e votimit.
Çfarë ndodhi atë natë tragjikomike zgjedhore
Kur numërimi kishte arritur mbi 60% të kutive, raportet konfidenciale tregonin qartë: Jahaj po thyente çdo rekord, i mbështetur fuqishëm nga baza dhe votuesit e zhgënjyer nga kandidatët “të komanduar”. Por kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak Belinda Ballukut, drejtueses politike e PS në Fier dhe një nga figurat më të fuqishme në qeveri. Kur mësoi që “ushtari” i saj, Ceno Klosi, po përmbytej nga votat e Jahajt, Balluku u tërbua dhe dha urdhër direkt që votat e Jahajt të lëviznin për Klosin. Komisionerët e Partisë Socialiste, shumica të vendosur nga vetë strukturat e saj, pranuan presionin dhe filluan të lexojnë votat në mënyrë selektive. Fletët ku ishte emri i Jahajt, u regjistruan për Klosin.
