Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) i ka kërkuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) anulimin e procedurës me fond limit 540 milionë lekë, rreth 5.5 milionë euro, për përmirësimin estetik dhe funksional të bregdetit të Durrësit.
Pas zbatimit të vendimit në sistemin elektronik të prokurimeve, autoriteti kontraktor pritet të rishpallë tenderin nga e para.
Procedura, e zhvilluar në dhjetor 2025, kishte si objekt investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare dhe ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike në Bashkinë Durrës. Ankesa pranë KPP lidhej me mënyrën e vlerësimit të ofertave nga Komisioni i Vlerësimit.
Projekti parashikon ndërhyrje në një sipërfaqe prej rreth 544 mijë m², nga zona e portit të Durrësit deri te Kavalishenca. Sipas planit, synohet zgjerimi i plazhit ekzistues, krijimi i një parku linear përgjatë vijës bregdetare dhe zhvillimi i hapësirave publike multifunksionale.
Zona e ndërhyrjes ka një gjatësi prej rreth 2.8 kilometrash dhe përfshin zgjerimin e vijës bregdetare deri në 100 metra drejt detit, me synimin për ta kthyer Durrësin në një destinacion më tërheqës turistik dhe urban.
