Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalën e tij në foltoren e radhës përpara Kryeministrisë, ku deklaroi nisjen e asaj që e cilësoi si beteja përfundimtare e opozitës kundër qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha përgëzoi protestën e zhvilluar prej ditësh nga Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij në trotuarin përpara godinës së Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një nga protestat më qytetare dhe civile të zhvilluara në vend.
Sipas Berishës, ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve, përfshirë heqjen e çadrave, karrigeve dhe ujit, janë shfaqje të frikës së kryeministrit Rama ndaj qytetarëve që protestojnë paqësisht.
“Me disa karrige dhe me një protestë qytetare po përfaqësohet zëri i çdo shqiptari. Çdo ditë policia ndërhyn duke u hequr protestuesve çadrat, tavolinat dhe ujin, me veprime që nuk kanë asgjë të përbashkët me një shtet demokratik”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati akuzoi Ramën për vjedhje të vazhdueshme të parave publike dhe e cilësoi atë si një drejtues që vepron nga frika, duke përdorur forcën e shtetit kundër protestave paqësore.
“Rama ka frikë sepse vjedh shqiptarët ditë e natë. Ai nuk ndalet kurrë dhe sillet kështu sepse mendon se ne e lejojmë. Por kjo kohë ka mbaruar”, deklaroi Berisha.
Në përmbyllje, ai u zotua se opozita do të jetë më e vendosur se kurrë dhe paralajmëroi intensifikimin e protestave, duke thënë se largimi i kryeministrit do të jetë i pashmangshëm sapo qytetarët të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur në shesh.
