Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar nisjen e zbatimit të plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, pas përfundimit të periudhës informuese që ishte parashikuar deri më 15 mars.
Sipas njoftimit zyrtar, nga data 16 mars qytetarët mund të fillojnë aplikimet për leje qëndrimi ose për regjistrimin e adresës, në përputhje me rregullat e reja ligjore.
Ministria bëri të ditur se këto masa janë ndërmarrë në përputhje me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Në kuadër të këtij procesi, MPB do të nxjerrë vendime administrative për njohjen e përkohshme të kartave të identitetit të lëshuara nga strukturat paralele serbe, vetëm për qëllime identifikimi dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, për një periudhë tre mujore do të mundësohet regjistrimi në Regjistrin Civil të Kosovës i fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes që janë regjistruar deri më 15 mars 2026 në institucionet paralele serbe.
Qeveria e Kosovës ka vendosur gjithashtu të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë pajisur me dokumente kosovare.
Sipas ligjit të ri, automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më shumë se tre muaj, përveç rasteve kur pajisen me autorizim të posaçëm nga autoritetet.
