Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar daljen publike të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Novosela, një ditë më parë, ndërkohë që ajo është marrë e pandehur nga SPAK.
Nga takimi me aleatët dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Berisha e cilësoi praninë e Ballukut në terren si një tallje dhe cinizëm ndaj banorëve të prekur nga përmbytjet. Sipas tij, qeveria zgjodhi të dërgojë një zyrtare të akuzuar për abuzim me fondet publike për të bërë, siç u shpreh ai, “show” politik mes qytetarëve që po përballen me pasoja të rënda ekonomike.
“Nuk kishte tallje më të madhe dhe më shumë cinizëm për banorët e Novoselës sesa t’u dërgoje Lubinë Balluku për t’u qarë hallin e përmbytjeve të tyre. Kjo është fyerje për qytetarët,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se situata aktuale kërkon reagim politik të bashkuar, duke bërë thirrje për mobilizim të forcave opozitare dhe ndërtimin e një platforme të përbashkët për largimin e qeverisë.
“Koha thërret. Duhet të mobilizohemi dhe të dalim me një platformë të përbashkët për t’i dhënë fund kësaj qeverie,” deklaroi kreu i PD-së.
