Presidenti i Këshilli Europian, Antonio Costa, ka komentuar çështjen e debatit mbi projektin e Zvërnecit gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.
I pyetur lidhur me polemikat dhe protestat që kanë shoqëruar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, Costa shmangu komentet direkte mbi rastin konkret, por theksoi rëndësinë e respektimit të legjislacionit evropian nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit.
“Në procesin e anëtarësimit pritet që Shqipëria të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së, përfshirë mjedisin. Nuk mund të flas për një projekt të veçantë. Me rëndësi është vënia në zbatim e legjislacionit europian në Shqipëri”, deklaroi Costa.
Mesazhi i kreut të Këshillit Europian vjen në një moment kur debati për projektin në Zvërnec ka marrë përmasa të mëdha publike, me protesta të vazhdueshme nga qytetarë dhe organizata që kundërshtojnë ndërtimin në zonë, ndërsa qeveria e konsideron investimin si një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit.
Costa vlerësoi gjithashtu progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se zbatimi i reformave dhe harmonizimi me legjislacionin europian mbeten elementë kyç për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit.
Deklarata e tij interpretohet si një rikujtim se çdo projekt zhvillimor duhet të jetë në përputhje me standardet dhe rregullat e Bashkimit Europian, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe sundimit të ligjit.
