Temperaturat e larta që kanë kaluar mbi 20 gradë Celsius kanë sjellë një atmosferë pranverore në qytetin bregdetar të Vlorës, duke tërhequr qindra qytetarë dhe turistë drejt zonave turistike të qytetit.
Gjatë fundjavës, shumë vizitorë kanë zgjedhur të kalojnë kohën e lirë përgjatë shëtitores së lungomares dhe në vijën bregdetare, ku janë parë duke shëtitur dhe duke shijuar rrezet e diellit.
Moti i mirë ka krijuar kushte ideale për relaks dhe aktivitete në natyrë, ndërsa shumë familje dhe turistë kanë shfrytëzuar temperaturat e ngrohta për të kaluar disa orë pranë detit.
Vlora vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë fundjavave me mot të mirë, duke tërhequr vizitorë jo vetëm nga qytete të tjera të Shqipërisë, por edhe turistë të huaj që ndodhen në vend.
