Bashkimi Evropian ka zbatuar një tjetër veprim të fuqishëm kundër Federatës Ruse, duke miratuar zyrtarisht paketën e 18-të të sanksioneve ekonomike dhe financiare, të cilat synojnë të godasin drejtpërdrejt burimet financiare dhe mekanizmat e mbështetjes së luftës së Kremlinit në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një njoftimi në rrjetin social “X” (ish-Twitter), ku theksoi se kjo paketë përbën një nga më të ashpërit që BE ka ndërmarrë deri më sot kundër Moskës. Sipas Von der Leyen, fokusi kryesor i kësaj pakete është reduktimi i burimeve të financimit të luftës për Kremlinin.
“Ne qëndrojmë të vendosur. BE-ja sapo miratoi një nga paketat e saj më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më sot. Po e shkurtojmë më tej buxhetin e luftës së Kremlinit”, shkroi presidentja e KE-së, duke shtuar se në shënjestër janë vënë edhe 105 anije të tjera të ashtuquajturës “flotë në hije” — një rrjet i fshehtë i anijeve që përdoren për të shmangur embargot dhe kufizimet e eksportit të naftës ruse në tregjet ndërkombëtare. Sanksionet përfshijnë gjithashtu penalizimin e “mundësuesve” të kësaj flotë – pra individë dhe kompani që ndihmojnë në zbatimin e këtyre aktiviteteve të ndaluara, si dhe një kufizim të mëtejshëm të aksesit të bankave ruse në tregjet e financimit ndërkombëtar. Veçanërisht, sanksionet do të prekin institucionet që përdoren për të anashkaluar rregullat financiare dhe për të ndihmuar qarkullimin e kapitalit që financon makinerinë ushtarake të Moskës. Në mënyrë të paprecedentë, paketa e re përfshin gjithashtu edhe një masë që ndalon përdorimin e tubacioneve Nord Stream, duke e bërë kështu të qartë vendosmërinë e BE-së për të shkëputur përfundimisht varësinë nga burimet ruse të energjisë, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kremlinit.
