Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka sulmuar ashpër qeverinë gjatë debatit në Kuvend për procesin e integrimit europian, duke deklaruar se mazhoranca po e paraqet integrimin “si një trofe suksesesh”, ndërsa sipas tij realiteti në vend është krejt ndryshe.
Në fjalën e tij, Himçi tha se raporti i qeverisë nuk reflekton problemet reale të Shqipërisë, duke përmendur korrupsionin, varfërinë, lirinë e medias dhe mungesën e rezultateve konkrete në reformën në drejtësi.
“Procesi europian i integrimit na u paraqit si një trofe suksesesh. Por kur i referohemi institucioneve ndërkombëtare, realiteti është tjetër,” deklaroi deputeti demokrat.
Ai iu referua raporteve të organizatave ndërkombëtare, duke pretenduar se Shqipëria ka shënuar përkeqësim në disa tregues kryesorë.
“Indeksi i perceptimit të korrupsionit të Transparency International për vitin 2025 shënon rënie me 11 vende. Reporterët pa Kufij evidentojnë rënie me tre vende. Altax zbulon se korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare nga 852 milionë deri në 1.1 miliardë euro,” tha Himçi.
Sipas tij, edhe sistemi i prokurimeve publike mbetet problematik, ndërsa një pjesë e madhe e tenderëve klasifikohen me “flamur të kuq”.
“40% e prokurimeve janë me flamur të kuq. Ndërkohë 42 deri në 44% e qytetarëve janë në rrezik varfërie,” shtoi ai, duke iu referuar të dhënave të Eurostat dhe organizatave monitoruese.
Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu qeverinë për atë që e cilësoi “inflacion ligjor”, duke argumentuar se miratimi i shpejtë i ligjeve nuk po shoqërohet me rezultate konkrete në praktikë.
“Jemi në një turravrap për të kapur integrimin vetëm në letër, pa analizuar efektet reale në ekonomi, jetën sociale dhe institucionet,” u shpreh Himçi.
Në fokus të kritikave të tij ishte edhe reforma në drejtësi, për të cilën tha se vazhdon të prodhojë volum dokumentesh, por jo rezultate të prekshme.
“BE kërkon rezultate të matshme në ndjekjen penale dhe dënime të formës së prerë, jo vetëm miratim aktesh,” deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Himçi komentoi edhe debatet politike të ditëve të fundit, duke thënë se mazhoranca “ka frikë nga hija e Sali Berishës”, ndërsa sulmoi edhe shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha.
