Debatet në Kuvend janë përshkallëzuar më tej këtë të enjte, teksa kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, iu përgjigj ashpër akuzave të bëra nga Sali Berisha gjatë seancës plenare.
Berisha kishte deklaruar më herët se Manja “merr në Peshkopi Belinda Ballukun sepse ajo ka dosjen e tij”, ndërsa deputeti socialist reagoi nga foltorja me tone ironike dhe personale.
“Sali, sot më dhe një provë që ti e ndjek axhendën time politike dhe jam i bindur që më ndjek edhe tani. Më vjen mirë që më ndjek, Sali. Unë të ndjek si pasqyrë për të parë veten që të mos jem në politikë si ti,” tha Manja.
Më tej, ai i kërkoi kreut të PD-së të “çlirojë mendjen dhe shpirtin nga dosjet”, duke shtuar se dosja e Berishës është aq e rëndë sa “çdo shtesë nuk ndryshon më asgjë”.
“Sali, çliroje mendjen dhe shpirtin nga dosja sepse dosja jote është kaq e madhe sa çfarëdo që shton aty nuk ndryshon kurrgjë. Ia ke vënë kapakun asaj dosjeje me titullin akademik ‘non grata’,” u shpreh Manja.
Deputeti socialist paralajmëroi se nëse do të hapej “dosja” e Berishës, “do të merrte erë tërë Shqipëria”, ndërsa përdori edhe referenca fetare e filozofike për fundin e jetës dhe përgjegjësinë morale.
“Po të hapet dosja jote, merr erë tërë Shqipëria! Atje ku do të shkojmë të gjithë me radhë, siç e ka shkruar Zoti, cullak kemi ardhur e cullak do të ikim. Nuk do të marrim as dosje, as baltë, as shpifje,” deklaroi ai.
Në fund të reagimit të tij, Manja ironizoi sërish Berishën, duke thënë se nëse i duhet ndihmë për të marrë “dosjen” me vete, është i gatshëm ta ndihmojë.
“Nëse ty të duhet dosja për ta marrë me vete, kujdes mos humb ndonjë letër rrugës, e po t’u desh ndihmë, do të të ndihmoj që të shkosh me dosje tamam,” përfundoi ai.
