Një konflikt mes pronarëve të dy lokaleve në Korçë ka përfunduar me të plagosur, pasi debati për hapësirën publike degjeneroi në dhunë fizike.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, shkak i përplasjes dyshohet të ketë qenë vendosja e tavolinave dhe karrigeve në ambientet e jashtme të bizneseve, për të cilat palët kishin pretendime të kundërta.
Në konflikt janë përfshirë katër persona, konkretisht dy vëllezër nga njëra palë dhe dy vëllezër nga pala tjetër. Si pasojë e përplasjes, tre prej tyre kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Njëri nga të përfshirët ka mbetur i plagosur me thikë në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar dëmtime të lehta si pasojë e goditjeve me sende të forta, përfshirë karrige.
Autoritetet bëjnë me dije se të gjithë personat e përfshirë do të shoqërohen në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
