Tabaku i referohet buxhetit të shtetit, të sapo miratuar në Kuvend, sipas së cilës ka shumë problem. Ajo thotë për gazeta “Panorama” se ky buxhet nuk përmban një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve të zakonshëm.
Jorida Tabaku flet për sektorë të rëndësishëm si shëndetësia dhe arsimi si të nënfinancuara ndërsa një tjetër problem madhor është kriza e pensioneve. Sipas Tabakut, skema aktuale është në prag kolapsi pasi qeveria në vend që të adresojë këtë situatë me reforma të thella, ka zgjedhur të ofrojë bonuse simbolike. Të cilat sipas saj janë më shumë një lëmoshë elektorale sesa një zgjidhje e qëndrueshme. Jorida Tabaku tregon zgjidhjen që ofron PD-ja sapo të vijë në pushtet
Znj.Tabaku, Parlamenti pas dy javëve debat miratoi buxhetin e 12-të socialist. Çfarë reflekton ku buxhet?
Buxheti i 12-të i socialistëve është një reflektim i një modeli qeverisës që ka dështuar sistematikisht të ofrojë zgjidhje për problemet thelbësore të vendit. Për më shumë se një dekadë, qeverisja socialiste ka ndërtuar një filozofi që pasuron një pakicë të privilegjuar dhe lë shumicën të përballet me sfida të përditshme ekonomike. Ky buxhet nuk përmban një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve të zakonshëm.
Shëndetësia dhe arsimi, dy shtyllat kryesore për zhvillimin e një shoqërie të drejtë, vazhdojnë të jenë të nënfinancuara. Vetëm 2.9% e PBB-së është alokuar për shëndetësinë dhe 2.29% për arsimin, duke e bërë Shqipërinë vendin me financimet më të ulëta në këto sektorë në rajon. Si pasojë, qytetarët paguajnë pothuajse gjysmën e shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre, ndërsa arsimi ka regjistruar rënien më të madhe globale sipas raportit PISA. Rrjedhimisht, shqiptarët janë të mbingarkuar me shpenzime, të cilat qeveria duhet t’i mbulonte.
Një tjetër problem madhor është kriza e pensioneve. Skema aktuale është në prag kolapsi, ku pensionet minimale janë ulur realisht që nga viti 2015. Ndërkohë, fuqia blerëse e pensionistëve ka rënë me 16%, duke i lënë ata në mëshirën e inflacionit dhe rritjes galopante të çmimeve. Në vend që të adresojë këtë situatë me reforma të thella, qeveria ka zgjedhur të ofrojë bonuse simbolike, të cilat janë më shumë një lëmoshë elektorale sesa një zgjidhje e qëndrueshme.
PPP-të dhe koncesionet, ndërkohë, vijojnë të përthithin pjesën më të madhe të buxhetit. Është alarmante që 53% e fondeve të shëndetësisë shkojnë për kontrata të dyshimta dhe projekte të fryra, ndërkohë që qytetarët vuajnë nga shërbime të pamjaftueshme. Rrugët e ndërtuara nga fondet qeveritare kushtojnë dyfishin e atyre të financuara nga BE, një fakt që ngre pikëpyetje serioze për transparencën dhe efikasitetin e këtyre projekteve. Ky buxhet nuk i shërben shumicës. Ai është një buxhet që pasuron oligarkët dhe penalizon shtresën e mesme, të moshuarit dhe të rinjtë. Shqipëria meriton një drejtim tjetër, të mbështetur në barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm.
