Në Gjykatën e Posaçme të Apelit është shtyrë edhe një herë gjyqi për dosjen e inceneratorit të Tiranës, duke zgjatur më tej procesin gjyqësor që prej kohësh ka mbetur pezull në këtë shkallë.
Të pandehurit, të dënuar në Shkallën e Parë, kanë ankimuar vendimin, por shqyrtimi në Apelin e Posaçëm nuk ka avancuar për shkak të shtyrjeve të përsëritura.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak për shtyrjen e seancës së radhës u bë mungesa e një prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 19 janar, në orën 10:00.
Sa i përket vendimit të dhënë nga GJKKO në Shkallën e Parë, janë dënuar Lefter Koka dhe Alqi Bllako, të cilët aktualisht janë të liruar nga qelia, si dhe Taulant Tusha, Namik Samixhiu, Bledar Karolini, Fatjon Murati, Valbona Ballgjini dhe Sidita Kopliku. Ndërkohë, Jetmir Llapaj është shpallur i pafajshëm.
Procesi për inceneratorin e Tiranës mbetet një nga çështjet më të ndjekura në drejtësinë e posaçme, ndërsa vendimmarrja përfundimtare pritet në seancat e ardhshme.
