Detaje të reja janë zbardhur lidhur me pengmarrjen e 39-vjeçarit Fisnik Xhaka nga Mitrovica, i cili u mbajt peng për rreth dy javë në qytetin e Vlorës, në një apartament luksoz shumë pranë Komisariatit të Policisë.
Sipas burimeve hetimore, banesa ku mbahej peng Xhaka ndodhej rreth 300 metra larg Komisariatit të Vlorës dhe ishte e pajisur me kamera sigurie, përmes të cilave monitoroheshin lëvizjet jashtë apartamentit. Kjo ka ndihmuar autorët të kontrollonin situatën dhe të shmangnin dyshimet gjatë kohës që viktima mbahej e izoluar.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 39-vjeçari kishte dalë garant për një sasi lënde narkotike, e cila do të merrej në një vend të Bashkimit Europian, me vlerë rreth 70 mijë euro. Meqenëse pagesa për drogën nuk është kryer, autorët dyshohet se i kanë kërkuar shumën Xhakës, duke e marrë peng dhe duke e dhunuar fizikisht për t’i marrë paratë.
Gazetari Enrik Mehmeti deklaroi se Xhaka kishte komunikuar me familjarët gjatë kohës që mbahej peng, ndërsa ishte motra e tij ajo që ngriti alarmin pranë autoriteteve, duke çuar në zbulimin e rastit dhe ndërhyrjen e policisë.
Megjithatë, pas lirimit, 39-vjeçari nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, duke mos dhënë shpjegime të detajuara mbi arsyet e kërkesës për 70 mijë euro. Ai ka marrë ndihmë mjekësore për shenjat e dhunës dhe më pas është larguar nga spitali. Aktualisht mësohet se po qëndron ende në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë, autorët e dyshuar kanë deklaruar se Xhaka u kishte një borxh prej 70 mijë eurosh, çka përforcon dyshimet për lidhjen e çështjes me aktivitet kriminal.
Arrestimet
Mbrëmjen e 11 dhjetorit, Policia e Vlorës finalizoi operacionin e koduar “Hostage”, duke arrestuar në flagrancë tre persona:
- Julian Zogaj, 25 vjeç
- Orest Çorapaj, 18 vjeç
- Vilson Agaj, 35 vjeç
të tre banues në Vlorë.
Ata akuzohen për veprat penale:
- “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim
- “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”
- “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”
Sipas policisë, pengmarrja ka ndodhur më 28 nëntor 2025, në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, ku viktima është mbajtur peng dhe është dhunuar për të siguruar pagesën prej 70 mijë eurosh.
Gjatë kontrollit në banesë, në posedim të Julian Zogajt u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme hetimore.
