Koçiu mbron policinë, justifikon dhunën: Faji iu la protestuesve, jo qeverisë

Data

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka dalë në mbrojtje të veprimeve të policisë pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike, duke mohuar çdo tejkalim force dhe duke fajësuar drejtpërdrejt protestuesit për përshkallëzimin e situatës.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Koçiu deklaroi se policia ka vepruar “sipas ligjit” dhe me “përpikëri”, ndërsa hodhi poshtë akuzat për dhunë policore. Sipas saj, efektivët janë sulmuar gjatë protestës dhe janë përballur me akte dhune, përfshirë edhe përdorimin e molotovëve.

Ministrja u ndal edhe te rasti i një të mituri të shoqëruar nga policia, duke tentuar ta justifikojë ndërhyrjen me pretendimin se ai po qëllonte efektivët me gurë. Ajo tha se i mituri është lënë i lirë menjëherë sapo ka mbërritur përfaqësuesi ligjor, ndërsa akuzoi opozitën se po e përdor rastin e një fëmije për të mbuluar, sipas saj, dhunën e ushtruar gjatë protestës.

Deklaratat e Koçiut janë parë si një tjetër përpjekje e qeverisë për të zhvendosur përgjegjësinë dhe për të normalizuar ndërhyrjen e forcave të rendit ndaj qytetarëve protestues, në vend që të adresojë shkaqet reale të revoltës dhe pakënaqësisë publike.

Opozita nga ana e saj këmbëngul se dhuna është ushtruar nga policia dhe se arrestimet, përfshirë edhe shoqërimin e të miturve, janë tregues të një shteti që po përdor forcën për të heshtur zërin kundër qeverisjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related