Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit atë që e cilësoi si një nga skandalet më të rënda financiare të viteve të fundit, të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas Tabakut, projekti i ashtuquajtur “shteti dixhital”, i promovuar nga qeveria si sukses modernizimi, është shndërruar në një skemë të centralizuar korrupsioni, ku fondet publike nuk janë përdorur për zhvillimin real të teknologjisë, por për të ushqyer interesa të ngushta politike dhe financiare.
“Ajo që u prezantua si revolucion dixhital, sot është demaskuar si një skemë financiare gllabëruese dhe kriminale. Në katër vite janë shpenzuar rreth 500 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, por jo për inxhinierët, jo për sigurinë kibernetike dhe jo për shërbime më të mira për qytetarët”, deklaroi Tabaku.
Deputetja theksoi se vetëm në vitin e fundit AKSHI ka përfituar rreth 200 milionë euro, duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën e shpërndarjes së këtyre fondeve dhe përfituesit realë të tyre. Sipas saj, ministritë, agjencitë shtetërore dhe madje edhe bankat janë detyruar të lidhen me këtë sistem të centralizuar, duke vendosur gjithçka nën kontrollin e një rrethi të ngushtë të lidhur me pushtetin.
Tabaku paralajmëroi se rreziku nuk është vetëm financiar, por edhe institucional dhe kombëtar, pasi një sistem dixhital i ndërtuar mbi korrupsion përbën kërcënim për sigurinë e të dhënave dhe funksionimin normal të shtetit.
“Kemi sot një shtet dixhital të paaftë, të shtrenjtë dhe të rrezikshëm, që ka shërbyer për të përqendruar pushtet dhe para, jo për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Sipas opozitës, ky skandal kërkon hetim të plotë dhe transparencë të menjëhershme, pasi bëhet fjalë për qindra milionë euro të shpërdoruara, në një kohë kur qytetarët përballen me shërbime të dobëta, mungesë sigurie dhe rritje të kostos së jetesës.
