Ndryshimi i fotografisë së profilit dhe imazhit të kopertinës në Facebook nga kryeministri Edi Rama, ku zgjodhi pamje me flamingo, ka sjellë reagime dhe komente në rrjetet sociale.
Mes atyre që reaguan ishte edhe deputetja Marjana Koçeku, e cila ironizoi zgjedhjen e kryeministrit përmes një postimi satirik.
Koçeku publikoi një fotomontazh të një prej kullave që po ndërtohet në qendër të Tiranës, pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, duke i vendosur një sfond rozë, në ngjyrat e flamingove të përdorura nga Rama në profilin e tij.
Në projektin zyrtar, ndërtesa është prezantuar si një objekt arkitektonik i frymëzuar nga figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, ndërsa në rrjetet sociale është komentuar nga qytetarë të ndryshëm për ngjashmërinë që, sipas tyre, ka me siluetën e kryeministrit.
Deputetja e shoqëroi foton e publikuar me një koment ironik:
“Mund t’ia sugjeroni për foto profili.”
Postimi i Koçekut është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe komente të shumta mes përdoruesve.
