Duke nisur nga muaji mars 2026, familjet që kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim nga tatimi mbi të ardhurat, për shpenzimet e rritjes dhe arsimimit të fëmijëve. Ky përfitim nuk do të jepet si pagesë e drejtpërdrejtë, por përmes rillogaritjes së tatimit të paguar për vitin 2025, nëpërmjet plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Si funksionon kompensimi
Rillogaritja e tatimit do të bëhet duke zbritur nga baza vjetore e tatueshme:
•48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë nën 18 vjeç
•100 mijë lekë në vit për shpenzimet e arsimit, një shumë fikse, pavarësisht numrit të fëmijëve
Pas këtyre zbritjeve, tatimi rillogaritet. Nëse rezulton se individi ka paguar më shumë tatim gjatë vitit 2025, diferenca do të kthehet si rimbursim.
Kush përfiton
•Individët me të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë përfitojnë si zbritjen për fëmijët, ashtu edhe atë për arsimin.
•Individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë përfitojnë vetëm zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë, jo atë për arsimin.
•Në një çift bashkëshortësh, përfitimin e kërkon prindi me të ardhura më të larta vjetore.
Rimbursimi i tatimit
Nëse pas rillogaritjes rezulton tatim i mbipaguar:
•Individët kanë të drejtë të kërkojnë rimbursimin brenda 3 muajve nga dorëzimi i DIVA-s.
•Afati për plotësimin e DIVA-s është deri më 31 mars 2026.
Përfitim edhe me 1 muaj punë
Ligji parashikon që kompensimi për fëmijët të përfitohet edhe nga individë që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj gjatë vitit 2025. Në këto raste, nëse pas zbritjeve baza tatimore rezulton zero, individi përfiton rimbursim të plotë të tatimit të paguar.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për të përfituar zbritjet, individi duhet të ruajë dokumentacionin përkatës, si:
•certifikatë familjare për fëmijët në ngarkim
•kontrata dhe dokumente pagesash për institucionet arsimore apo kurse (p.sh. gjuhë të huaja)
Dokumentet nuk ngarkohen në sistem gjatë plotësimit të DIVA-s, por duhet të ruhen për të paktën 5 vite, në rast kontrolli tatimor.
Sa është efekti financiar
Sipas Ministrisë së Financave, efekti i kësaj mase përllogaritet rreth 15 milionë euro në vit, të cilat do të mbeten në buxhetet e familjeve shqiptare duke ulur normën efektive të tatimit mbi të ardhurat.
