Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, ka reaguar lidhur me debatet e fundit që pasuan pjesëmarrjen e aktivistit Dritan Goxhaj në protestat antiqeveritare, duke kritikuar përpjekjet për ta lidhur të drejtën e protestës me angazhimin e dikujt në radhët e UÇK-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lutaj u shpreh se është i habitur që, pas afro tre dekadash, vazhdohet të përdoret lufta çlirimtare si argument në debatin politik të ditës.
“Të dashur miq! Lutem, a mund të më shpjegojë dikush se çfarë lidhjeje mund të kenë situatat apo protestat në Shqipëri sot, pas gati 30 vjetësh, me angazhimin ose jo të dikujt në formacionet aktive të UÇK-së?”, shkruan ai.
Lutaj e cilësoi këtë qasje si një paragjykim dhe u shpreh se qytetarët nuk i besojnë më këtyre, sipas tij, manipulimeve.
“Po mirë, o të dashur, a ka vërtet ndonjë njeri në Shqipëri që t’i besojë dhe t’i referohet perversitetit të ndonjë ‘plaku’ apo Tahos tonë?”, vijon reagimi i tij.
Ish-deputeti socialist kritikoi gjithashtu publikimin e listave me emra luftëtarësh të UÇK-së dhe përfshirjen e figurave historike në polemikat politike aktuale.
“Postimi dhe paragjykimi i një liste me emra luftëtarësh, në krye të së cilës qëndron Tahir Sinani, njëri prej ikonave të UÇK-së, hero i tri luftërave për çlirimin e trojeve shqiptare, më kanë lënë pa fjalë”, shkroi ai.
Në fund të reagimit, Lutaj bëri të ditur se mbështet qëndrimin e shprehur një ditë më parë nga ish-drejtuesi i UÇK-së, Fatmir Limaj.
“Unë personalisht, për këtë çështje, i bashkohem postimit të bërë dje nga Gjeneral Fatmir Limaj. Liria ka emër”, përfundon reagimi i ish-deputetit të PS-së.
