“120 milionë euro të falura Bankers-it” – Shehaj godet Ballukun, dosja kalon te SPAK

Data

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka denoncuar ditën e djeshme me dokumente se qeveria shqiptare, nëpërmjet zv/kryeministres Belinda Ballukut, i ka falur kompanisë “Bankers Petroleum” 120 milionë euro. Shehaj publikoi një shkresë e vitit 2019 që tregon se si Balluku i shkruante ministrisë së Financave dhe drejtorisë së Doganave ku i kërkonte pezullim të vjeljes së një gjobe 120 milionë euro ndaj “Bankers Petroleum”. “Kjo letër e ministres Belinda Balluku tregon sesi qeveria shqiptare i ka falur kompanisë Bankers 120 mln euro. Kjo është shkresa e 2019-ës ku Belinda Balluku i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe iu kërkon pezullim të veprimeve në lidhje me vjeljen e një shume prej 120 mln euro. Kjo gjobë dhe ky detyrim ka lindur në 2016, pasi Bankers ka marrë një gjobë nga Doganat për evazion fiskal, në lidhje me mospagesën e aksizës në import. Pavarësisht faktit që Doganat janë munduar ta vjelin këtë shumë, nuk kanë arritur kurrë t’i marrin ato para sepse politika, qeveria nuk i ka lejuar. Derisa ka ardhur momenti që ministrja Balluku i ka dërguar zyrtarisht një shkresë u ka thënë: mos veproni kundër Bankers. Por jo vetëm kaq, çfarë ka ndodhur?”, denoncon Shehaj.

Skandali

Kreu i Mundësia vazhdon me denoncimin e tij duke thënë se skandali bëhet edhe më i madh, pasi, tani qeveria ka vendosur të bëjë një amnisti fiskale për gjobat në mënyrë që këto para mos të shkojnë kurrë në buxhetin e shtetit, por t’i ndajnë me njëri-tjetrin. “Pavarësisht se ka vite që këto para duhet të ishin vjelë, tani qeveria shqiptare, mazhoranca, ka vendosur të bëjë një amnisti fiskale për gjobat në mënyrë që këto para mos të shkojnë kurrë në buxhetin e shtetit. Pse? Sepse qartësisht duan t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Por nuk është më si më përpara. SPAK-u ka marrë këtë dosje në hetim. Ka hapur një dosje në lidhje me këtë abuzim dhe ka shkuar në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka mbledhur dokumente dhe fakte dhe po heton këtë afër korruptive. Sepse do Edi Rama, s’do Edi Rama, do Balluku, s’do Balluku apo analistët e tij, apo grupi i tij dhe oligarkët e Edi Ramës, në Shqipëri po ndryshon gjithçka. Të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Aferat korruptive po hetohen. Dhe ja, në këtë rast, po flasim për një afër prej 120 mln euro, që po të mos kishte qenë për SPAK-un, këto para nuk do të kishin shkuar kurrë në buxhetin e shtetit shqiptar”, u shpreh Shehaj.  Gazeta “SOT” e raportoi në artikullin e kaluar se skandali i njohur si afera “Bankers” ka marrë përmasa edhe më të gjera pas evidentimit të një dëmi ekonomik që arrin në dhjetëra miliona euro, ndërsa hetimet kanë prodhuar deri tani masa sigurie ndaj disa ish-zyrtarëve të kompanisë dhe personave të përfshirë në skemat e dyshuara. Pas arrestimeve të para të ekzekutuara nga Prokuroria e Fierit, çështja është zgjeruar ndjeshëm duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton veprimet e organeve tatimore që ndër vite nuk kanë kontrolluar apo kanë lejuar shkeljet e kryera nga kompania Bankers. Dy prokuroret e SPAK, Anita Jella dhe Enkeleida Millonai kanë vënë në sitën e hetimit edhe veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet me TVSH dhe detyrimet fiskale. Hetimet përfshijnë edhe veprimet e doganave, zyrave të konsulencave dhe strukturave të financave, pasi dyshohet se zyrtarët e këtyre institucioneve kanë lejuar skemat mashtruese të Bankers, ku kompania dilte me humbje fikse për të shmangur pagesën e taksave dhe përfitonte miliona euro. Zgjerimi i hetimeve reflekton përpjekjen e SPAK për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë e të gjithë zinxhirit administrativ dhe për të ndëshkuar çdo abuzim, duke përfshirë ish-zyrtarët e kompanisë, punonjësit e tatimeve dhe doganave, si dhe zyrtarë vendorë të përfshirë në skemat e dyshuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related