Aktualisht janë rreth 15 kontrata të partneritetit Publik -Privat të cilat menaxhohen nga privatët me financime shtetërore. Sipas hulumtimit të KLSH-së mbi pagesat buxhetore ndaj këtyre kontratave rezulton se, koncesioni i inceneratorit të Tiranës ka disbursimin më të shpejtë nga fondet buxhetore në raport me kontratat e tjera.
“Nga analiza e ecurisë së realizimit të shpenzimeve për kontratat koncesionare në raportin e mes-vitit konstatohet se kontrata “Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat” për 5 mujorin 2023 është realizuar 9 %; “Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit” realizimi është 18 % ndërsa për “Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës” nuk është kryer asnjë pagesë, ndërkohë që për koncesionin e landfillit të Tiranës raportohet se janë paguar 70 % e totalit të pagesave.
Të gjitha sa më sipër, shfaqin nevojën e rritjes së vëmendjes së institucioneve shtetërore dhe të autoriteteve kontraktore për një planifikim të studiuar dhe monitorimin të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm të shpenzimeve gjatë zbatimit të kontratave koncesionare” referoi KLSH-ja për Kuvendin.
Pagesat e rregullta ndaj inceneratorit të Tiranës një objekt që tashmë nuk ekziston, i klasifikuar për korrupsion të shumëfishtë nga SPAK kanë sfiduar ligjet dhe mbi të gjitha moralin e qeverisjes.
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjithashtu vuri në dukje se pagesat ndaj kontratave koncesionare po dalin jashtë kontrollit.
