Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar sot ashpër në Kuvend mazhorancën dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, duke thënë se situata e sigurisë në vend është përkeqësuar ndjeshëm. Ai u ndal veçanërisht te atentatet e fundit, mes tyre ai në afërsi të aeroportit të Rinasit, duke akuzuar kryepolicin Ilir Proda se nuk mban përgjegjësitë e detyrës, ndërsa mazhoranca nuk ka “fuqi” ta shkarkojë.
Balliu solli në vëmendje shkarkimin e ish-drejtorit të Policisë, Gledis Nano, për shkak të ngjarjeve kriminale, ndërsa pyeti se përse e njëjta gjë nuk ndodh me Proden.
“Delegacioni i huaj u shkëmbye me atentatorët”
Deputeti demokrat tha se atentati në Rinas tregoi qartë dështimin e strukturave të sigurisë:
“Ndodhi atentat në pikën më të sigurt të vendit, të ruajtur me Polici, Ushtri, Gardë dhe SHISH. Për një orë e gjysmë nuk pati asnjë polic në një rreze 10 kilometrash. Atentatorët ikën, madje dogjën edhe makinën. Aty u shkëmbye edhe një delegacion i huaj me atentatorët, dhe përsëri asnjë reagim.”
Ai shtoi me ironi se policët që shfaqen nëpër aksione mediatike “me monopatina”, mungonin aty ku duhej të garantonin sigurinë.
Akuzat e Balliut: “Proda nuk hiqet se përfaqëson shefat tuaj të vërtetë”
Deputeti vijoi akuzat duke thënë se mazhoranca nuk e shkarkon Ilir Proden sepse ai është “ndërmjetësi i botës së krimit”.
“Ju s’keni fuqi ta hiqni Ilir Prodën. Ai përfaqëson shefat tuaj të vërtetë, ata që ju kanë sjellë në pushtet. Gledis Nanon e hoqët për atentate, por Prodën pse nuk e hiqni?”
Balliu rikujtoi deklaratat publike të ish-ministrit Arben Ahmetaj, i cili sipas tij ka folur hapur për lidhjet e zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar. Ai u shpreh se qeveria është “e vetmja që ka koordinator për krimin e organizuar”.
Përfshirje e policisë në atentate?
Deputeti i PD-së tha se në shumë nga atentatet e ndodhura në vend janë përfshirë persona nga radhët e policisë, përfshirë efektivë të niveleve të larta:
“Në shumicën e atentateve dalin të përfshirë efektivë të policisë. A janë marrë masa? A po hetohen mungesat e inteligjencës, sidomos për ngjarjen e aeroportit?”
Balliu kërkoi transparencë për informacionet e munguar nga shërbimet operacionale dhe të inteligjencës, duke akuzuar qeverinë se po mbron zyrtarë që, sipas tij, janë të lidhur me krimin.
