Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të lirojnë menjëherë presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshorten e tij, të cilët ndodhen në paraburgim në SHBA.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Kinës i kërkoi Uashingtonit të garantojë sigurinë e Madurós dhe të gruas së tij, të ndalë përpjekjet për përmbysjen e qeverisë venezueliane dhe të zgjidhë situatën përmes dialogut dhe negociatave.
“Kina dënon fuqimisht përdorimin e hapur të forcës nga SHBA-të kundër një shteti sovran,” thuhet në reagimin e Pekinit, duke theksuar se veprime të tilla shkelin parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetin e vendeve të pavarura.
Autoritetet kineze paralajmëruan se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës mund të rrezikojë stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe zgjidhje paqësore të konfliktit.
