Tensionet mes Iran dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përshkallëzuar ndjeshëm pas deklaratave të forta të presidentit Donald Trump, i cili paralajmëroi pasoja të rënda nëse Teherani nuk pranon kërkesat e Uashingtonit.
Në përgjigje, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi në televizionin shtetëror se çdo veprim nga SHBA-ja që do të konsiderohet si shkelje e “vijave të kuqe” do të pasohet me sulme hakmarrëse që mund të shtrihen përtej rajonit të Lindjes së Mesme.
Zyrtarët iranianë paralajmëruan gjithashtu se do të synojnë interesat energjetike të SHBA-së, duke pretenduar se mund të ndikojnë në furnizimin me naftë dhe gaz për një periudhë të gjatë.
Ndërkohë, eksperti i sigurisë dhe ish-zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Nate Swanson, e cilësoi këtë situatë si pjesërisht presion psikologjik, me synim arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas tij, infrastruktura e Iranit është e shpërndarë dhe komplekse, çka e bën të vështirë neutralizimin e saj në një kohë të shkurtër. Ai shtoi se politika e presionit maksimal nuk ka arritur deri më tani të ndryshojë qëndrimin strategjik të Teheranit.
Në këtë klimë tensioni të lartë, mbetet e paqartë nëse palët do të përshkallëzojnë më tej konfliktin apo do të kërkojnë një rrugë diplomatike për zgjidhje.
