Me urdhër të SPAK është arrestuar pasditen e sotme kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës Jorgo Goro.
Emisioni “Në Shënjestër” pak kohë më parë ka zbardhur mekanizmin si u tjetërsua prona prej 5512m2 e bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe rolin e kreut Jogo Goros në këtë çështje.
Prona u regjistrua në bazë të një kërkese të veçantë të bërë nga kryetari në detyrë i Himarës, Jorgo Goro.
Emisioni zbardhi dhe kontratën e shitjes së pronës mes Stavri Mëhillit dhe Artan Gaçit, ku prona është blerë me çmim të ulët në raport me çmimet e zonës, ku ndër të tjera zbulohet se një këst është paguar përpara se pronari i sipërfaqes së tokës të pajisej me certifikatë pronësie.
Pjesa e parë e dokumentarit
Olta Xhaçka ishte një nga ministret më të preferuara nga kryeministri, Edi Rama prej 3 mandatesh, aq sa mund të thuhet se ndër të tjerë kolegë të saj, ishte më jetëgjata në shtrirje kohore, në kabinetet ministrore socialiste, që nga ardhja e tyre në pushtet në vitin 2013.
Fillimisht në mars të vitit 2017, ajo u emërua Ministre e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë, për tu katapultuar shpejt brenda disa muajsh, në shtator të këtij viti, në krye të dikasterit të Ministrisë së Mbrojtjes. Post të cilin e mbajti për afro më shumë se tre vite, deri më 31 dhjetor 2020, për t’u emëruar në janar të vitit 2021 si Ministre e Punëve të Jashtme.
Këtë detyrë ajo e mbylli në shtator të vitit 2023, pas zërave se kryeministri Rama nuk e donte më në kabinetin e tij, për shkak të implikimit të familjarëve të saj në një aferë që lidhet me atë që sot njihet si investitori strategjik. Aferë që tashmë ka përfunduar në duart e SPAK, Prokuroria e Posaçme, që pavarësisht se jetën e vet e nisi si një institucion akuze që do të godiste fort në themel krimin dhe korrupsionin, duket se fenonemi që ka gërryer shoqërinë dhe kryesisht politikën që nga kohët e saj më të vjetra, nuk ngjau të ndalë hovin në Shqipëri, edhe pse në derë u kishte trokitur tashmë drejtësia e re.
Po të shihen dosjet korruptive të depozituara në SPAK, një pjesë e mirë e tyre i takojnë pikërisht periudhës së krijimit të këtij organi hetues.
Nga viti 2020 e në vazhdim, çka tregon se vesi i korrupsionit që për disa duket se del me shpirtin, nuk u bëri aspak përshtypje dhe e vazhduan vendosmërinë e tyre për të grabitur me po aq përkushtim sa edhe kur SPAK nuk ishte ende një krijesë, qoftë edhe laboratorike. Lidhje të forta nepotike brenda maxhorancës socialiste në pushtet, e cila në 10 vite të ushtrimit të saj të detyrave të ekzekutivit, ka prodhuar një korrupsion galopant, qoftë nëpërmjet ligjeve favorizuese që i vijnë për shtat orbitës së njerëzve që rrotullohen rreth saj, por edhe pushtetarëve të cilët privilegjet që u jep oborri, i kanë ndarë si në një gosti deri edhe me fëmijët apo bashkëshortët e tij.
Ky duket të jetë edhe rasti i familjes së ish-ministres Olta Xhaçka, biznesmeni Artan Gaçi duket se është pikërisht një nga këto shembuj, se si qenia e bashkëshortes ministre, por edhe lidhja e tij me maxhorancën socialiste, dikur deputet i kësaj force politike në vitet 2013-2017, mund të shërbejë si një bonus i mjaftueshëm për të hapur rrugët në biznes.
Por jo vetëm kaq, por edhe për të përfituar statuse të rëndësishme si biznesmen i përkëdhelur nga fati, që arrin jo vetëm ti varë vetes në qafë medaljonin e kushtueshëm të ‘investitorit strategjik’, nga vetë kryeministri Rama, pavarësisht se bashkëshortja e tij ishte ende në një detyrë të lartë zyrtare dhe ky ishte një konflikt i pastër interesi, por edhe të shkojë deri aty sa të provojë të shkelë edhe ligjin, duke u futur në një histori të ndërlikuar falsifikimi prone, që mund ti kushtojë shumë në vazhdim dhe të përballet sot me SPAK.
Por cila është historia e pronës që e ktheu Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, në një investitor strategjik? Çfarë do ndërtonte ai në këtë pronë dhe cilat janë shkeljet që mund ta çojnë atë drejt përballjes së paevitueshme me SPAK, që gjatë kohës, ka shumë punë të tjera në dorë me ish-ministra dhe zyrtarë të korruptuar, të maxhorancës aktuale por edhe asaj të vjetër? Si nisi kallëzimi ndaj Artan Gaçit dhe a shërbeu ky denoncim edhe për largimin e ministres së Jashtme Olta Xhaçka nga detyra në fillimin e muajit shtator 2023?
Bashkëshortët e ardhshëm të cilët ishin njohur me njëri-tjetrin në çadrat e vendosura në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, gjatë kohës që ishin në opozitë dhe protestonin kundër qeverisë Berisha, të cilët do e kurorëzonin këtë dashuri të lindur sipas tyre në kohë të vështira për demokracinë, në Kalanë e Petrelës në vitin 2014.
Në një dasmë gala, vaniteti i së cilës në kuptimin metaforik do të simbolizonte edhe vetë atë çfarë do të prodhonte në vazhdim pushteti i maxhorancës socialiste në pushtet.
Tarafe, korrupsion, dhe babëzi për të rrëmbyer çdo gjë të mundshme në qarkullim, me çdo formë dhe mundësi duke shkelur mbi çdo normë ligjore dhe morale. Një histori gati e përsëritur edhe me këtë të treguar më poshtë, ku në qendër të hetimit sot është pikërisht Artan Gaçi, biznesmeni-bashkëshort i tashmë ministres së shkarkuar nga detyra, Olta Xhaçka, të cilit, iu sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur tashmë me akronimin SPAK, 5 512 m2 truall, në zonën e lakmuar bregdetare të fshatit Gjilek në Dhërmi.
Sekuestro preventive e cila u vendos pas dyshimeve të krijuara nga SPAK, për falsifikim të akteve të marrjes në pronësi të kësaj parcele toke.
Sipërfaqe e konsiderueshme prone, nga e cila Artan Gaçi, kishte fituar edhe statusin si ‘investitor strategjik’, vetëm disa kohë më pare, ku çuditërisht, ashtu sikurse mund të ndodhë vetëm në një vend si Shqipëria, pas një korrupsioni të tillë mishngrënia e njëri-tjetrit, mund të vijë vetëm nga radhët e politikës së korruptur të cenuar në interesat e saj.
Por cila është skema që u përdor për tjetërsimin e pronës dhe kalimin e saj në duart e investitorit strategjik. I pari që trokiti në dyert e Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2021, ishte Mihallaq Bonjaku, i cili pretendonte se i ishte vjedhur prona, ose më saktë një pjesë të pronës mbi të cilën Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ishte shpallur investitor strategjik dhe kishte nisur ndërtimin e resortit luksoz. Ai tregon se prona e tij ishte rrethuar dhe nuk lejohej të hynte në të.
“Ditët e fundit rrethimi im është prishur pjesërisht dhe brenda sipërfaqes së rrethuar është krijuar një rrethim i ri. Lidhur mbi mënyrën e fitimit të pronësisë si dhe titullit të pronësisë së shtetasit Foto Mëhilli, pretendimi im është se akti i marrjes së tokës në pronësi me nr.9677 që bën fjalë për një sipërfaqe prej 5 512 m2 të familjes Mëhilli, është falsifikuar. Nga krahasimi i dokumentacionit të listës së përfituesve të tokës bujqësore në fshatin Gjilek, Dhërmi, shtetasi Foto Mëhilli ka përfituar tokë në pronësi me sipërfaqe totale prej 1200 m2, e cila për më tepër ka vendodhje tjetër me atë që ai pretendon sot. Për këtë arsye kam depozituar ndër të tjera edhe dokumentin plan rilevimi, datë hartimi muaji shkurt 2019, ndërsa resorti luksoz, nisi të marrë formë, prokuoria e Vlorës, u mjaftua vetëm me marrjen në pyetje të Mihallaq Bonjakut dhe sekuestrimin e disa dokumentave në institucione, pa mundur të zbulojë përgjegjësit e falsifikimit të kësaj prone.”, ka deklaruar Mihallaq Bonjaku në maj të vitit 2021.
Por kur Mihallaq Bonjaku, duket se i kishte humbur shpresat për të marrë drejtësi, Fredi Beleri kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, që ndodhet pas hekurave teksa pret verdiktin e drejtësisë së re, për akuzën e korrupsionit zgjedhor, kallëzoi në SPAK nga brenda qelisë, biznesmenin Artan Gaëi, bashkëshorten e tij Olta Xhacka dhe kryetarin në detyrë të Bashkisë së Himarës Jorgo Goro.
Nga aktet e administruara rezulton se Prokuroria e Posaëme ka regjistruar me datë 6 shtator 2023, (mbi bazën e kallëzimit të Fredi Belerit) procedimin penal nr.189 viti 2023për vepran penale ‘shpërdorim I detyrës’ dhe ‘falsifikimit të dokumentave’. Prokuroria e Posacme ka regjistruar me datë 19 shtator 2023 procedimin penal 203 mbi bazën e akteve të përcjella nga prokuroria e Vlorës.
Ky procedim i cili është trajtuar më herët nga prokuroria e Vlorës, është regjistruar më datë 21 maj 2021 mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Mihallaq Bonjaku.
Më datë 19 shtator 2023, prokurori i çështjes ka vendosur bashkimin e dy procedimeve, pasi ka dyshimet se bëhet fjalë për të njëjtin fakt penal, por edhe të dyshimit se vepra penale është kryer nga persona të ndryshëm në bashkëpunim mes tyre”, thuhet në dosjen hetimore.
Pra siç rezulton më lart, Prokuroria e Vlorës, e kaloi çështjen në SPAK, vetëm pas kallëzimit që Fredi Beleri bëri në këtë institucion për të njëjtën çështje. Fredi Beleri ka ngritur pretendimet e tij, se prona në të cilën ish deputeti Artan Gaçi do ndërtonte hotelin luksoz në fshatin Gjilek në Dhërmi, është përfituar përmes një AMTP-je (Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi), të falsifikuar. Por çfarë përmban kallëzimi i Fredi Belerit, që ëoi SPAK në hapjen e një hetimi ndaj Artan Gaçit dhe thirrjen e tij fillimisht në këtë godinë më 6 Tetor 2023, por edhe të kryetarit në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro?
Emisioni “Në shënjestër” do të ndalet fillimisht te kallëzimi me 10 pika i Fredi Belerit.
Ai konstaton se nga banorët e fshatit Gjilek në Himarë, trashëgimtar i të ndjerit Foto Mëhilli, është bërë pronar i një sipëfaqe toke të llojit arë, përmes një AMTP-je të falsifikuar, tokë me sipërfaqe prej 5 512 m2, të cilën më pas ia ka shitur biznesmenit Artan Gaçi.
Biznesmeni, i cili pikërisht këtë truall me sipërfaqe të konsiderueshme, në buzë të detit Jon, do ta dorëzonte më pas në Këshillin e Ministrave, për të fituar statusin e investitorit strategjik, me qëllimin për të ndërtuar aty një resort luksoz nëpërmjet kompanisë së tij ‘AG.TË’.
“Bashkia Himarë dhe konkretisht Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro kanë përcjellë për regjistrim në ish ZVRPP Vlorë një AMTP në emër të shtetasit Foto Pavllo Mëhilli me vendndodhje në fshatin Gjilek Bashkia Himarë.
Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mëhilli figuron e ndarë një parcele në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me siperfaqe 5512 m2 e ndare si tokë truall. Kjo tokë nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht ndarja e sipërfaqeve toke truall.”, thuhet në kallëzimin penal nga Fredi Beleri.
Sipas Fredi Belerit dhe asaj çfarë ai kishte mundur të zbulonte, kjo tokë që më pas kaloi në pronësi të biznesmenit Artan Gaçi, nga shtetasi Stavri Mëhilli, nuk kishte qenë kurrë truall, por kishte qenë në fondin bujqësor të fshatit Gjilek.
Ndërkohë që ligji sipas tij e përcakton shumë qartë se çfarëOlta Xah është tokë truall dhe çfarë jo, ku në këtë rast është e qartë se toka bujqësore në pronësi të fshatit Gjilek është ndarë si tokë truall, për t’i shërbyer më pas biznesmenit Artan Gaëi, për qëllimet e veta. Pra, sipas Fredi Belerit, kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, nuk duhet të ëonte për regjistrim një AMTP të tillë, që ishte nxjerrë qëllimisht jashtë fondit bujqësor të fshatit, arsye për të cilën ai ka kërkuar edhe ndjekjen penale të kryebashkiakut Goro, që është ende në detyrë,
