Kërkesa e SPAK për imunitetin e Ballukut, Bardhi: Mbledhja e Këshillit të Mandateve duhet të mbahet të martën në orën 11:00

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë të ditur se opozita ka kërkuar zyrtarisht që mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku të zhvillohet ditën e martë, më 23 dhjetor, në orën 11:00.

Bardhi sqaroi se arsyeja pse nuk është kërkuar mbledhja për ditën e hënë lidhet me ceremoninë e marrjes së detyrës nga kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, për të cilin, sipas tij, opozita ka treguar korrektesë duke i dhënë kohë për përfundimin e procedurave zyrtare.

“Të hënën është ceremonia e betimit të kreut të ri të SPAK. I kemi dhënë hapësirën për të kryer procedurën dhe kemi kërkuar që mbledhja e Këshillit të Mandateve të mbahet të martën në orën 11:00”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se Kuvendi duhet të njoftojë zyrtarisht si SPAK-un, ashtu edhe Belinda Ballukun, e cila është marrë e pandehur, në mënyrë që Prokuroria të paraqesë kërkesën e saj, ndërsa zëvendëskryeministrja të ketë mundësinë të paraqesë mbrojtjen.

Sipas Bardhit, vonesat e deritanishme janë të pajustifikuara dhe përbëjnë pengesë për drejtësinë. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të fitojë kohë pa afat, duke bllokuar procesin e vendimmarrjes në Kuvend.

“Kurse Rama ka vendosur të marrë kohë të pacaktuar”, u shpreh Bardhi, duke theksuar se opozita kërkon një proces të shpejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin.

Çështja e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut mbetet në qendër të debatit politik, ndërsa pritet të shihet nëse Këshilli i Mandateve do të mblidhet në afatin e kërkuar nga opozita.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related