Ilir Mëngra, i cili prej pak muajsh mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ishte pronar i tre apartamenteve, kur në vitin 2022, kohë që ishte në krye të “Targave” të Tiranës vendosi të shpenzojë 200 mijë euro për të blerë një banesë të katërt.
Duket se jeta financiare e Mëngrës ka ecur shumë mirë, pavarësisht se mënyra se si i ka deklaruar pasuritë e tij pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka shumë boshllëqe, ndoshta për shkak të plotësimit të pasaktë.
Të dhënat e vetëdeklaruara ndër vite nga Ilir Mëngra referojnë se ai ka punuar vetëm në sektorin publik, ndërkohë që ka disa periudha kohore, për të cilat drejtori i rëndësishëm nuk jep informacion konkret, të cilat krijojnë “xhepa” mbi sigurimin e të ardhurave dhe pasurisë.
