Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se deputetët demokratë në Këshillin e Mandateve janë njohur me dosjen e plotë të Prokurorisë së Posaçme lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Bardhit, kërkesa e SPAK mbështetet në një volum të konsiderueshëm provash, rreth 80 të tilla, të përmbledhura në mijëra faqe dokumentacioni, duke e bërë çështjen të bazuar ligjërisht dhe jo politike.
“Kemi marrë dosjen e plotë të sjellë nga SPAK pasdite. Kërkesa mbështetet në rreth 80 prova në mijëra faqe dhe nuk ka asnjë lidhje me akuza politike”, u shpreh Bardhi në deklaratën e tij.
Ai akuzoi përfaqësues të mazhorancës se kanë tentuar të intimidojnë prokurorët, duke kërkuar që provat të mos u viheshin në dispozicion deputetëve të opozitës, por vetëm vetë Belinda Ballukut. Sipas tij, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procesin e drejtësisë.
Bardhi theksoi se deputetët kanë të drejtë të njihen me dosjen e plotë të Prokurorisë, në mënyrë që të marrin një vendim të informuar në Këshillin e Mandateve.
Në deklaratën e tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të heqë dorë nga, siç e quajti ai, përpjekja për të penguar drejtësinë dhe për ta marrë peng procesin, duke mbrojtur zëvendëskryeministren.
Ai kërkoi që në fillim të javës së ardhshme të mblidhet Këshilli i Mandateve, me qëllim marrjen e vendimit për t’i kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestimin apo heqjen e lirisë së Belinda Ballukut.
Sipas Bardhit, çdo zvarritje e mëtejshme rrezikon seriozisht procesin hetimor dhe dëmton besimin e publikut te drejtësia.
