Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas sulmit amerikan në Venezuelë dhe kapjes së presidentit Nicolás Maduro, duke e cilësuar ngjarjen si një zhvillim të paralajmëruar dhe jo një surprizë.
Në një reagim publik, Këlliçi shkruan se arrestimi i Maduro-s nga Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e presidentit Donald Trump tregon se drejtuesit e shteteve të shndërruara në narkoshtete nuk janë të paprekshëm.
Sipas tij, Maduro ishte në krye të një karteli droge të njohur si “Cartel de Los Soles”, i përbërë nga zyrtarë të lartë ushtarakë dhe civilë, që trafikonin sasi të mëdha narkotikësh drejt SHBA-së, duke e kthyer Venezuelën në një narkoshtet funksional.
“Kjo nuk ishte një rrufe në qiell të hapur. Nën presidencën Trump, paralajmërimet dhe goditjet ndaj karteleve të drogës, përfshirë ato me mbështetje shtetërore, kanë qenë të vazhdueshme”, thekson Këlliçi.
Deputeti demokrat e krahasoi modelin e qeverisjes së Maduro-s me atë të kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se bëhet fjalë për të njëjtin model pushteti, ku pushteti politik përdoret për të mbuluar krimin, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
“Maduro nuk ishte gjë tjetër veçse një narkolider që mendoi se pushteti do ta mbronte nga drejtësia. Identik i njëjti model me të cilin udhëheq Edi Rama”, shkruan Këlliçi.
Ai shprehu shpresën që goditje të tilla ndaj lidhjeve mes krimit dhe pushtetit të vijojnë edhe në rajonin e Ballkanit, sidomos në vende që synojnë integrimin në Bashkimin Europian.
Sipas Këlliçit, integrimi europian nuk mund të realizohet për aq kohë sa qeverisjet drejtohen nga individë të lidhur me trafikun e drogës, korrupsionin dhe destabilizimin social e ekonomik.
