Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përqendron gjithnjë e më shumë pushtet në duart e tij.
Gjatë një takimi me drejtuesit politikë të PD në qarqe, Berisha u ndal tek vendimi i mazhorancës për të mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë si një moment kyç që, sipas tij, tregon tendencën për “pushtet absolut”.
“Me vendimet që mori për Ballukun, duke përdorur 81 mandate si mburojë, Rama është bërë më i rrezikshëm se kurrë për vendin,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, ky veprim nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e një individi, por me një strategji më të gjerë për kontroll total të institucioneve.
Berisha theksoi se Partia Demokratike po organizohet për protestën e 8 majit, të cilën e cilësoi si një reagim kundër përqendrimit të pushtetit dhe mënyrës së qeverisjes aktuale.
“Bëhet fjalë për një njeri që ka tashmë në duart e tij çdo pushtet dhe është i gatshëm të marrë çdo vendim kundër qytetarëve për të mbrojtur veten,” deklaroi ai.
Në përfundim, lideri i opozitës e përshkroi situatën si një rrezik për demokracinë dhe bëri thirrje për mobilizim politik dhe qytetar kundër asaj që ai e konsideron si tendencë autoritare në vend.
