Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas ndërhyrjeve të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, duke i cilësuar ato si një zhvillim me rëndësi historike dhe një sinjal shprese edhe për Shqipërinë.
Në reagimin e tij, Salianji shprehet se ngjarjet e fundit tregojnë se regjimet e ndërtuara mbi krimin, korrupsionin dhe shtypjen nuk janë të përjetshme dhe se drejtësia ndërkombëtare, kur vepron, arrin të rrëzojë edhe pushtete që duken të pathyeshme.
“Një agim i ri për Venezuelën, një shpresë e madhe për agim të ri në Shqipëri,” shkruan Salianji.
Ai thekson se për ata që pretendojnë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë instrumente për të ndikuar mbi regjime kriminale, zhvillimet në Venezuelë janë dëshmi e qartë e së kundërtës.
Sipas Salianjit, pushtetet që mbështeten te krimi, korrupsioni dhe frika mund të duken të forta për një periudhë, por janë të destinuara të shemben.
“Kur drejtësia ndërkombëtare lëviz, asnjë pushtet i ndërtuar mbi frikën nuk është i sigurt,” thekson ai.
Në reagimin e tij, Salianji bën edhe një paralelizëm me realitetin politik në Shqipëri, duke deklaruar se kush mendon se pushteti i mbështetur te bandat, manipulimi dhe kapja e institucioneve është i përjetshëm, gabon rëndë.
“Historia e regjimeve kriminale ka një fund të përbashkët: shembjen,” përfundon reagimin e tij Salianji.
