Protestuesit që janë mbledhur në kryeqytet kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke artikuluar thirrje kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë kalimit pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pjesëmarrësit kanë dëgjuar thirrje që kërkonin hetim dhe arrestim të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është përmendur në debatet e fundit politike dhe mediatike lidhur me çështje të korrupsionit.
Protestuesit kanë vijuar marshimin me slogane si “Shqipëri e Re”, “Bashkohuni me ne” dhe “Çohuni nga kafja”, ndërsa kanë bërë thirrje për ndryshim politik dhe më shumë llogaridhënie nga institucionet.
Që nga nisja e tubimit, pjesëmarrësit kanë përsëritur thirrjen “Edi Rama dorëhiqu”, duke shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes dhe duke akuzuar ekzekutivin për korrupsion dhe keqqeverisje.
Protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore, ndërsa qytetarët kanë marshuar në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me fokus mbrojtjen e interesit publik, transparencën dhe kërkesat për ndryshime politike.
