Një 42-vjeçar nga Korça ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se është autor i katër vjedhjeve të automjeteve të ndodhura brenda një dite në qytet.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Four”, ku u vu në pranga shtetasi L. Sh., i dënuar më parë për vepra penale të njëjta.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore, këqyrja e pamjeve filmike dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, rezulton se 42-vjeçari ka vjedhur sende nga katër automjete më datë 31 janar 2026.
Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
- një kasetofon,
- një pasaportë,
- një palë çelësa,
- një telefon iPhone 13 Pro Max,
- një sasi parash dhe sende të tjera të dyshuara si të vjedhura.
Policia bën me dije se vijon puna për parandalimin dhe goditjen e vjedhjeve të pronës dhe pasurisë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.
