Spartak Ngjela plas deklaratën e fortë: Rënia e Vuçiçit në Serbi një tërmet që mund të përfshijë edhe Ramën, ja pse

Data

Avokati dhe analisti i njohur, Spartak Ngjela vijon të mbetet një nga zërat më të guximshëm dhe më të artikuluar në skenën politike shqiptare. I njohur për analizat e tij të mprehta dhe parashikimet shpesh të drejta, avokat Ngjela nuk ngurron të sfidojë pushtetarët me deklarata të forta e të drejtpërdrejta. Ditën e djeshme, ai ka ngritur shqetësime për zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin e tyre në rajon, duke paralajmëruar qartë se lëkundjet në Beograd mund të shkaktojnë tronditje edhe në Tiranë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ngjela ka vënë në shënjestër kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se politika e tij e lidhur me Beogradin dhe larg interesave kombëtare mund ta vendosë atë në një pozitë të rrezikshme.

Ai shpreh bindjen se rënia e Vuçiçit në Serbi do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për Ramën, duke paralajmëruar një “tërmet politik” që mund të prekë edhe Shqipërinë. Mirëpo në analizat e tij, Ngjela nuk sheh vetëm rrëzimin e liderëve të korruptuar, por edhe një shans për rilindjen e politikës shqiptare mbi bazën e interesave kombëtare. Ndërkohë duke iu referuar lëvizjeve studentore dhe shoqërore në Serbi, ai sugjeron se koha për ndryshim po afron gjithashtu edhe për Shqipërinë. Pra mesazhet e tij janë një thirrje për reflektim dhe një paralajmërim i qartë për ata që kanë devijuar nga interesi i qytetarëve shqiptarë.

Ja reagimi i plotë i avokat Ngjelës:

Serbia po zien e tëra kundër presidentit të saj Aleksandër Vuçiç. Çfarë po ndodh në fakt në Beograd? Janë ngritur studentët e të gjitha universiteteve; dhe po përkrahen edhe nga populli serb. Si rregull, kur studentët ngrihen masivisht në një shtet, politika shkon drejt modernizimit të saj.  A do rrëzohet Vuçiç? Në të vërtetë nuk po rrëzohet Vuçiç, por po rrëzohet fryma retrograde dhe antishqiptare e Sllobodan Milosheviçit. E pra tani, përditë po kuptohet se në këto momente politike po duket të jetë drejt katastrofës politike, pasardhësi i Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç. Dhe gjithçka që po ndodh në Serbi kundër presidentit aktual të Serbisë, që ka në thelb çrrënjosjen milosheviçiane si frymë retrograde.

A do të rrëzohet Vuçiç?

Kjo po ndodh se tani serbët po e kuptojnë që, të gjitha ekstremizmat nacionaliste të grupit Millosheviç – Vuçiç, kanë qenë një marrëzi me objekt abstrakt antishqiptar, që tani nuk kanë më asnjë vlerë. Por a do të rrezohet Aleksandër Vuçiç? Të shohim se sa e fortë do të tregohet opozita në Beograd.  Kurse aleati mbrojtës kryesor i Serbisë, Rusia, po hesht. Pse? Sepse siç duket Moska e ka parë që Vuçiç është i falimentuar shoqërisht në Serbi, dhe po sheh me vëmendje se kush pritet të vijë pas tij.

Po politika e Shqipërisë dhe Kosovës, a kanë ndonjë plan? Kjo nuk duket. Por e vetmja gjë që dihet për Tiranën dhe Prishtinën, është fakti që kryeministri Rama, politikën e tij e ka pas mbështetur në Paris dhe në Beograd. Po tani? Të shohim se çfarë do të ndodhë me presidentin e Serbisë. Rrëzimi i tij, do të ketë lëvizje në sensin politik në Prishtinë, kjo kuptohet, por ende nuk mund të japësh një ide se çfarë do të ndodhë në Tiranë, në një kohë që kryeministri në Tiranë, Edi Rama, tani është e provuar se nuk ka ardhur në pushtet për interesin shqiptar. Por kjo kohë që po vjen, ose do ta kthejë Ramën drejt shqiptarisë, ose do ta rrëzojë atë.

Rama në ankth

Gjithsesi, na duhet të themi se, rrëzimi i Aleksandër Vuçiç në Beograd, sigurisht që do të krijojë një farë paniku edhe te qeveria Rama në Tiranë. Dhe kjo mund të sjellë në Shqipëri lëvizje të reja drejt një politike kombëtare për përfundimin e një marrëveshjeje solide juridike midis Prishtinës dhe Tiranës, në lidhje me të ardhmen bashkuese të dy shteteve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kurse politika shqiptare e Kosovës në Prishtinë, sigurisht që do të përfitojë në veprim, për garantimin e mëtejshëm të konsolidimit të shtetit të pavarur të Kosovës, si një forcë e vërtetë drejt krijimit faktik të shqiptarisë, në të gjitha trevat shqiptare të Gadishullit Ilirik. Prisni dhe shikoni…

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related