Sot në Gjykatën e Posaçme zhvillohet seanca për shqyrtimin e kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa hetimet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfunduan më 10 shtator 2025. Dosja tashmë është dërguar për gjykim dhe përfshin gjithashtu bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë dhe subjekte tregtare.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Sipas prokurorisë, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv në 9 raste, ku disa kompani dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta financiare dhe pasuri të paluajtshme, në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, përballet me akuza për korrupsion pasiv në të njëjtin kontekst, lidhur me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.
Vendimi për kërkesën e zëvendësimit të masës së sigurisë pritet të merret pas përfundimit të seancës së sotme.
