“Kam 30 vite në SHBA”, qytetari i drejtohet Ervin Salianjit: Erdha vetëm për ty, Rama dhe Berisha të dalin mënjanë

Data

Gjatë takimit të zhvilluar në Shkodër, një qytetar që jeton prej 30 vitesh në Shtetet e Bashkuara ka mbajtur një fjalë të drejtpërdrejtë dhe të fortë, duke deklaruar se kishte marrë pjesë në aktivitet vetëm për shkak të pranisë së ish-deputetit demokrat Ervin Salianji.

Qytetari theksoi se nuk është i lidhur me asnjë parti politike dhe se nuk do të kishte ardhur në takim as për kryeministrin Edi Rama dhe as për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai u shpreh se motivimi i tij ishte rinia dhe mesazhi që, sipas tij, përfaqëson Salianji.

“Jetoj prej 30 vitesh në SHBA dhe vij nga një familje e persekutuar. Nuk jam partiak, jam kombëtar. Kur pashë gjithë këtë rini këtu dhe mora vesh që ishe ti, erdha. Nuk do të vija as për Ramën, as për Berishën,” u shpreh qytetari gjatë fjalës së tij.

Ai tregoi se gjatë viteve të emigrimit ka qenë i angazhuar në lobimin për çështjen shqiptare në SHBA, duke përmendur kontakte me figura të rëndësishme politike amerikane dhe vlerësime publike për kontributin e tij.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim gjeneracional dhe për t’ua lënë drejtimin të rinjve. “I ka ardhur koha gjeneratës sonë të tërhiqet dhe t’ua lërë vendin të rinjve,” tha ai, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Salianjit.

Qytetari theksoi se rruga e ndryshimit nuk është e lehtë, pasi, sipas tij, pushteti është i konsoliduar dhe interesat janë të forta, por vlerësoi faktin që Salianji nuk vjen nga privilegjet apo pasuria. “Ju jeni pa para në xhep dhe e keni të vështirë, por jam i kënaqur me këtë rini dhe i kërkoj rinisë të bashkohet me ju,” u shpreh ai.

Në përfundim, qytetari bëri një apel të drejtpërdrejtë për përgjegjësi qytetare, duke theksuar se ndryshimi nuk duhet pritur nga jashtë. “Mos prisni që Amerika të vijë t’i bëjë punët në shtëpinë tonë. Duhet t’i bëjmë vetë këtu,” përfundoi ai, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related