Saimir Korreshi akuza qeverisë në Kuvend: Spitali i Lushnja me minj dhe çati që pikon, fermerët e pensionistët të braktisur

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka shpërthyer me akuza ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke ngritur shqetësime për gjendjen ekonomike dhe mungesën e investimeve në Lushnja.

Korreshi u ndal te pensionet e ulëta, vështirësitë e fermerëve dhe problemet infrastrukturore në zonë, ndërsa akuzoi qeverinë për propagandë dhe mungesë konkrete ndërhyrjesh.

Sipas tij, pensionistët në Lushnje nuk arrijnë të përballojnë jetesën me të ardhurat aktuale, ndërsa fermerët po përballen me kosto të larta dhe mungesë mbështetjeje nga shteti.

“Europa nuk ka pension 123 mijë lekë. Me këto para nuk jetohet”, deklaroi ai nga foltorja e Kuvendit.

Deputeti demokrat përmendi edhe problemet e bujqësisë, duke theksuar se fermerët po detyrohen të derdhin qumështin dhe se prej vitesh është ulur mbjellja e grurit për shkak të kostove të larta dhe çmimit të karburantit.

Korreshi denoncoi gjithashtu gjendjen e rënduar të infrastrukturës dhe menaxhimit të mbetjeve në zonë, duke përmendur djegien e plehrave në Tërbuf dhe Savër, si dhe mungesën e investimeve publike.

Një nga akuzat më të forta lidhej me gjendjen e spitalit të Lushnjes.

“Te pediatria ka minj. Kur bie shi, hyn me çadër në spital”, u shpreh ai, duke kritikuar amortizimin e godinave dhe mungesën e investimeve në shëndetësi.

Në fund të fjalës së tij, Korreshi i bëri thirrje qeverisë që të mos shkojë në Lushnje vetëm me premtime, por me investime konkrete për qytetin dhe banorët e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related