Tirana, kryeqyteti me rreth 800 mijë banorë, vijon të mos ketë asnjë impiant funksional për trajtimin e ujërave të ndotura. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstaton se ujërat urbane derdhen pa asnjë trajtim në lumin e Tiranës dhe në Lanë, duke i kthyer këto dy lumenj në disa nga zonat më të ndotura të vendit.
Sipas auditimit, megjithëse ligji për trajtimin e ujërave të ndotura përcakton qartë se ndotja duhet të frenohet në burim dhe ujërat të trajtohen në impiantet më të afërta, në praktikë kjo nuk zbatohet në kryeqytet. Ujërat e ndotura lëvizin lirshëm drejt lumenjve, duke krijuar ndotje të rëndë mjedisore dhe rrezik për shëndetin publik.
Raporti thekson se, pavarësisht rritjes së popullsisë dhe zgjerimit urban, Tirana nuk ka ndërtuar ende një zgjidhje funksionale për menaxhimin e ujërave të ndotura. Kjo situatë bie ndesh me standardet mjedisore dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore.
Në fakt, kryeqyteti ishte planifikuar të kishte një impiant trajtimi në Kashar, por projekti u ndërpre dhe përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar. Kontrata u prish në mënyrë të njëanshme nga pala shqiptare, në një kohë kur rreth 68 për qind e punimeve ishin kryer, me një vlerë rreth 56 milionë euro.
Gjykata e Arbitrazhit e cilësoi ndërprerjen e kontratës si të kundërligjshme, duke ngarkuar institucionet përgjegjëse me një detyrim financiar rreth 13.5 milionë euro, shifër që vijon të rritet për shkak të interesave vjetore. Ndërkohë, impianti i papërfunduar kërkon kosto shtesë mirëmbajtjeje, pa sjellë asnjë përfitim për qytetin.
Impianti i Kasharit ishte parashikuar të siguronte trajtim sekondar dhe më pas terciar të ujërave të ndotura për qindra mijëra banorë, duke ulur ndjeshëm ndotjen e lumenjve. Sot, Tirana mbetet pa zgjidhje, ndërsa ujërat e ndotura vazhdojnë të derdhen drejtpërdrejt në mjedis, duke thelluar krizën mjedisore të kryeqytetit.
