Vendimi i Gjykatës së Apelit për lirimin nga burgu të të pandehurve të dosjes “5D”, të akuzuar për vjedhje dhjetëra milionë euro nga Bashkia e Tiranës, ka shkaktuar reagime të ashpra në radhët e opozitës.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD dhe drejtues i departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë, të cilin e cilëson të kapur politikisht dhe të komanduar nga kryeministri Edi Rama.
Në reagimet e tij publike, Malltezi ndalet veçanërisht te gjyqtarja Irena Gjoka-Maneku-Shpata, duke e akuzuar se, pavarësisht së kaluarës së saj ligjore në Greqi, vazhdon të ushtrojë detyrën në sistemin e drejtësisë shqiptare.
“Irena me tre mbiemra, dy dëbime dhe një dënim në Greqi, vazhdon të japë drejtësi në Shqipëri. Kjo është drejtësia që mbron Edi Rama,” shprehet Malltezi, duke shtuar se ka edhe individë që e quajnë veten opozitarë dhe që, sipas tij, përpiqen të mbrojnë këtë sistem.
Ai e cilëson vendimin për lirimin e zyrtarëve të bashkisë si provë të qartë të pandëshkueshmërisë dhe të standardeve të dyfishta, duke theksuar se drejtësia po përdoret për të mbrojtur korrupsionin dhe jo për ta ndëshkuar atë.
Sipas Malltezit, rasti “5D” dhe vendimet e fundit gjyqësore tregojnë se reforma në drejtësi ka dështuar të çlirojë sistemin nga ndikimi politik dhe se qytetarët po përballen me një drejtësi që favorizon pushtetin dhe penalizon interesin publik.
