Një 30-vjeçar shqiptar do të deportohet nga Britania e Madhe pasi të vuajë dënimin me burg për trafik droge, pavarësisht se u justifikua se veprimin e kishte kryer për të shlyer një borxh bixhozi.
Etmond Margjoni u arrestua pasi policia e kapi duke shitur kokainë në zonën Blurton. Ai u gjet në posedim të 24 dozave kokaine me vlerë rreth 1,200 paund, 245 paund cash dhe një telefon celular, ndërsa drejtonte një automjet pa patentë dhe pa sigurim.
Sipas prokurorisë, Margjoni u pa disa herë duke kryer transaksione droge, derisa u ndalua dhe arrestua. Ai pranoi fajësinë për posedim droge të klasit A me qëllim furnizimin, si dhe për shkeljet rrugore.
Avokati mbrojtës deklaroi se i riu kishte grumbulluar borxh bixhozi në Shqipëri dhe ishte vënë nën presion nga persona të tjerë për të shpërndarë drogë, duke shtuar se aktiviteti i tij kishte zgjatur vetëm dy javë.
Gjykatësi, megjithatë, nuk e pranoi justifikimin. Ai theksoi se Margjoni kishte hyrë ilegalisht në Britani, kishte refuzuar të bashkëpunonte me policinë dhe ishte kapur në flagrancë me drogë.
Në përfundim, gjykata e dënoi shqiptarin me 28 muaj burg, duke vendosur gjithashtu deportimin e detyrueshëm pas kryerjes së rreth 40% të dënimit.
