Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte ftuar si dëshmitar te paraqitet në orën 09:30 të hënën pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sot nuk është paraqitur në orarin e caktuar për shkak se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të paraqitet në 09:30.
“Zyra e Kryeministrit ka njoftuar sot që kryeministri i Kosovës ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet”, ka thënë Liridona Koqmezi, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Për ta ky arsyetim qëndron dhe Prokuroria Speciale do të përgatisë një ftesë tjetër në një datë që ende nuk është caktuar.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka thënë në një përgjigje Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
